
Teksa na mbeten edhe pak ditë nga takimi mes Islandës dhe Shqipërisë, i vlefshëm për kualifikueset e Europianit, hedhim pak vështrimin nga historiku i dy Kombëtareve dhe përballjet mes tyre. Lojtari i fundit shqiptar që i ka shënuar këtij rivali, është Valdet Rama.
Pikërisht sulmuesi që hyri në zemrën e tifozëve shqiptarë, me spektaklin që ofronte në fushën e lojës. I bukur për t’u parë në fushë me lëvizjet hipnotizuese, por edhe rezultativ ishte në disa raste. Për të mbërritur tek ardhja në Superiore, atje ku Rama mbrojti ngjyrat e Kukësit. “Shqiperia.ch” e ka kontaktuar futbollistin, që shpreh gatishmërinë për të qënë pjesë e Kombëtares.
Si ka shkuar eksperienca në Superiore deri tani. Brenda pritshmërive me futbollin e luajtur dhe nivelin tek ne?
Kam bërë një eksperiencë të mirë në Superiore. Mendoj se futbolli në Shqipëri është duke u zhvilluar dhe ka talente.
Je futbollisti i fundit i Shqipërisë që i ke shënuar Islandës. A do t’ia dalim këtë herë ndaj këtij kundërshtari?
Me trajnerin e ri, besoj dhe shpresoj se do të realizojnë fitoren kundër Islandës. Ky rival ka një grup të mirë dhe me eksperiencë. Futbollistët e tyre përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin, prandaj nuk do të jetë ndeshje e lehtë.
Kush janë pikat e dobëta të Islandës në këndvështrimin tuaj?
Të gjitha ekipet kanë pikat e tyre të dobëta. Unë mendoj se Shqipëria do ta analizojë mirë kundërshtarin, për të mbërritur në një rezultat pozitiv.
Ndërkohë Islanda është përfshirë nga temperaturat e ulta. A mund të bëhet edhe klima një faktor ndikues për kuqezinjtë?
Jo, nuk e besoj se klima mund të jetë problem për lojtarët.
Çfarë shkoi keq gjatë këtyre kohëve, pasi ishe në La Liga dhe futbollisti që rrëmbeu zemrën e gjithë tifozëve me spektaklin që dhuroje?
Nuk ka shkuar keq për mua. Unë vetë kisha dëshirë që të vija sërish në Gjermani, afër familjes sime. Në Spanjë ishte kënaqësi dhe eksperiencë shumë e mirë, por edhe në ligën e parë apo të dytë të Gjermanisë, luhet futbolli i kualitetit të lartë.
Mendon se mund ta arrish sërish Kombëtaren në të ardhmen?
Unë e dua Shqipërinë dhe gjithmonë që ajo ka nevojë, do të jem i gatshëm. Por nuk e kam aty mendjen për momentin. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/