You are here
Home > Kombëtarja > EKSKLUZIVE/ Jupi analizon Panuçin: Më habit pasiguria e tij, nuk e ka në kokë Shqipërinë ideale

EKSKLUZIVE/ Jupi analizon Panuçin: Më habit pasiguria e tij, nuk e ka në kokë Shqipërinë ideale

Shqipëria arriti të merrte tre pikë të vlefshme në takimin e djeshëm ndaj Izraelit, në atë ndeshje, ku humbja ishte e ndaluar për trajnerin italian, Kristian Panuçi.

Disfatat e shumta që ky i fundit do të merrte në miqësoret e zhvilluara, ua kishin sosur durimin të gjithëve, pritja kishte marrë fund. Tifozët ishin të parët që e shihnin se diçka nuk shkonte me “zemrën e tyre”, Kombëtaren, ndërsa edhe Federata nuk duket se kishte një tjetër mendim në lidhje me trajnerin.

Një kryeveprë e Taulant Xhakës do të rikthente jo vetëm entuziazmin në “Elbasan Arena”, por edhe qetësinë në mes të një feste të ekzaltuar të Panuçit, që mund të qëndrojë më i qetë në pankinën e tij, të paktën edhe për dy ditë.

Një fitore mund të na kthejë entuziazmin, por jo të pasyqyroi një realitet tjetër, se gjithçka shkon ashtu siç duhet. Të paktën i këtij mendimi është njeriu që ka kaluar një jetë në futbollin shqiptar dhe e njeh mirë atë, Redi Jupi. Madje tashmë duke hapur edhe akademinë e tij të futbollit, Jupi kërkon të prodhojë sa më shumë talente shqiptarë. I kontaktuar nga “Shqipëria.ch”, ish-futbollisti i Kombëtares, ka dhënë një analizë të tijën për gjithçka që ndodhi dje, ku mes të tjerash, vlerëson faktin se Panuçi ende nuk e ka të fiksuar Shqipërinë e tij ideale.

“Rezultati në këto moment është gjëja më e rëndësishme se të gjitha, e për këtë biem të gjithë dakort. Vijmë nga një periudhë jo e mirë dhe kishte nevojë i gjithë ambienti, skuadra, e trajneri për këto pikë shumë të vlefshme.

Por ama nuk duhet të ngelemi vetëm këtu sepse ka mënyra e mënyra sesi vjen një rezultat. Ndeshja ndaj Izraelit nuk mund të quhet e mirë për ne.  Vuajtëm si ekip në fazën mbrojtëse, pak lëvizshmëri në qarkullimin e topit dhe pak ide përpara. Më habit pasiguria e trajnerit në zgjedhjet që ai bën.

Ndryshon shumë dhe do të shpresoja të mos ishte ajo që duket nga jashtë. Pra, me fjalë më thjeshta ai nuk e ka ende në kokë Shqipërinë më të fortë, ekipin ideal. Lojtarë që më parë nuk thirreshin fare në Kombëtare, papritur na kthehen në titullarë të padiskutueshëm ose e kundërta.

Ndryshime të shumta të cilat kanë sjellë konfuzion dhe pasiguri. Gjithsesi kjo fitore erdhi si oksigjen dhe dozë optimizmi për trajnërin, por edhe për lojtarët, duke na dhënë kështu kohën e duhur për të bërë rregullimet e mëvonshme.

Gjithashtu më duhet të përmend se përmirësimi i gjendjes psiko-fizike të disa lojtarëve është shumë e rëndëishme. Rikthimi i Mavrajt me minuta loje në këmbë. Ajeti i sistemuar diku,por edhe përmirësimi i gjendjes së Gjimshitit dhe Veseli mund të na japin një farë sigurie në repartin e mbrojtjes. Megjithatë nuk duhet të ngelet vetëm te ata. Ne na duhet më shumë filtër në mesfushë, na duhet më shumë kompaktësi, ekip më i shkurtër, më afër njëri-tjetrit edhe horizontalisht.

Nuk jam dakort kur dëgjoj se nuk kemi lojtarë në repartin e mbrojtjes. Ne asnjëherë nuk kemi pasur në mbrojtje Nestan apo Kanavaron, megjithëse ka pasur momente që kemi qënë shumë të fortë në këtë fazë. Jo më larg sesa në menaxhimin e mëparshëm, ne nuk pësonim lehtë, ishim solid dhe të qartë në ndërtimin e lojës. Duhet të bëjmë të njëjtën gjë, pse jo edhe më mirë”, ka thënë Jupi për “Shqipëria.ch”.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top