You are here
Home > Futboll Bota > Ekskluzive/ Jo vetëm Benfika, gjysma e Serisë A dhe gjiganti grek pas lojtarit që bindi Panuçi

Ekskluzive/ Jo vetëm Benfika, gjysma e Serisë A dhe gjiganti grek pas lojtarit që bindi Panuçi

Enea Mihaj është emri më i përmendur nga futbollistët shqiptarë sa i përket merkatos së janarit. Nga Portugalia ka ardhur lajmi i bujshëm në ditën e djeshme, teksa Benfika është interesuar për të marrë shërbimet e këtij futbollisti.

Bëhet fjalë për lojtarin e Shqipërisë, që Panuçi e bindi pasi erdhi në stolin e Kombëtares. “Shqiperia.ch” nga burimet e saj pranë lojtarit, ka konfirmuar ekipet e shumta që janë në tratativa për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares. Ekipi i Benfikës e kërkon me çdo kusht lojtarin shqiptar, megjithëse flitet ende për bisedime e sipër.

Nga ana tjetër, edhe Olimpiakosi ka gati ofertën për Mihajn, që do e paraqisë në ditët në vazhdim dhe është e vetmja skuadër që e kërkon me patjetër që në janar. Gjithsesi, pavarësisht interesimeve të shumta për këtë futbollist, e vështirë duket lëvizja e tij nga Panetolikosi në merkaton e janarit. Vetëm një ofertë e mirë do ndryshonte planet këtij futbollisti, që mund të marrë edhe më shumë në karrierën e tij, pasi ka qenë i dëmtuar më parë dhe sapo është kthyer në fushën e blertë.

“Shqiperia.ch” konfirmon se ka pasur interesime edhe nga disa klube të Serisë A për Enea Mihajn, me ekipe si Udineze, Atalanta, Empoli dhe Cagliari. Të gjitha këto skuadra kanë kërkuar më shumë informacione për futbollistin shqiptar, megjithëse janë të interesuara për të mbyllur transferimin vetëm në fundin e sezonit.

Gjatë kohës në vazhdim, pritet edhe një bisedim mes agjencisë që e drejton këtë futbollist, SEG, e Igli Tares, për të folur rreth një transferimi të Mihajt në ekipin e Lacios. Sido që të shkojë situata, tifozët shqiptarë duhet t’i gëzohen lëvizjes së Panuçit, pasi nuk do të jetë e largët koha kur Mihaj të luajë në elitën e futbollit europian. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top