You are here
Home > Futboll Bota > Ekskluzive! “I magjishmi” Toma zgjodhi Kosovën? Bëri jehonë mes sajimesh, kjo është e vërteta

Ekskluzive! “I magjishmi” Toma zgjodhi Kosovën? Bëri jehonë mes sajimesh, kjo është e vërteta

Prej kohësh në mediat sportive shqiptare, ka bërë jehonë pranimi i ftesës së “magjishmit” Toma për Kosovën. Futbollisti i cili aktivizohet me Sionin, zhvilloi një gjysmë sezoni fantastik me ekipin zviceran, shpeshherë duke bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Disa pasime që nxirrni huq gjithë futbollistët kundërshtarë apo edhe realizime me shfrenim imagjinate, janë parë nga ana e futbollistit shqiptar. Megjithatë, “Shqiperia.ch” siguron nga burimet e saj pranë lojtarit se gjithçka qarkullon në media së fundmi është vetëm një gënjeshtër. Vetë futbollisti nuk ka vendosur ende për përfaqësuesen që do të aktivizohet, megjithëse Kosova ka një mundësi të madhe për të marrë këtë futbollist.

Zvicra është në garë, së bashku me Shqipërinë që e kanë shprehur hapur interesin e tyre për Tomën.  E gjithë zhurma e bërë së fundmi, ku Toma dhe Hadërgjonaj supozohet t’i jenë bashkuar Kosovës, kanë ardhur nga keqinterpretimi i fjalëve të Shalandit. “Shqiperia.ch” ka qenë sërish e para media e shkruar e cila ka zbardhur intervistën e trajnerit të Kosovës në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, që kishte një qëndrim krejtësisht të kundërt nga ajo që mediat shqiptare shprehen së fundmi.

“Hadërgjonaj duhet të zgjedh Kosovën, pasi ka shumë konkurrencë te Zvicra në pozitën e tij, nuk luan dot atje. Nga ana tjetër, kemi edhe Bastien Tomën. Ai mund t’i bashkohet edhe me Kosovën U-21, duke parë moshën e tij”, këto ishin fjalët ekzakte të Shalandit të thëna para pak kohësh, e që tashmë janë tjetërsuar.

Mes dëshirës dhe mundësisë, është gjithmonë një hapësirë e madhe ndarje midis, e këtë duhet ta kenë të qartë edhe mediat shqiptare në përgjithësi. Me shpresën se Toma do të zgjedhë një mes Kosovës e Shqipërisë, vendim ky që do të vijë gjatë këtij viti, mbetemi ende në pritje të vendimit të këtij lojtari. Ndërsa të tjerët që pasqyrojnë në mënyrë të habitshme se janë çuar edhe dokumentat në FIFA për të pritur aprovimin që ky lojtar t’i bashkohet dardanëve, duhet të punojnë më shumë me fantazinë e tyre. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top