
“Shqiperia.ch” ka udhëtuar në Petrelë(Tiranë), atje ku ka parë më nga afër akademinë e ndërtuar nga Redi Jupi, “Football Republic”. Nuk kanë kaluar shumë kohë që nga momenti i krijimit të saj, por rruga e suksesit ka filluar ndërkohë.
Aty ku po rritet edhe e ardhmja e futbollit shqiptar, ka ardhur edhe interesimi i klubeve të njohura. Redi Jupi pohoi faktin se klubi i Atalantës ishte afruar dhe gjendet shumë pranë marrëveshjes me një lojtar, që aktualisht është pjesë e “Football Republic”.
Por ashtu siç edhe vetë figura e shquar e futbollit tonë do të shprehej, rruga më e mirë për një lojtar është që ta nis gradualisht karrierën, jo gjithmonë duke kërkuar për skuadra të njohura dhe me emër.
“Ka pasur interes nga klube të ndryshme. Është një fazë që vërtet na intereson. Atalanta na është afruar shumë dhe jemi pranë mbylljes së një marrëveshje. Unë jam shumë i interesuar për klubet e vogla. Sepse këtu është fiksimi për të shkuar pas klubeve të mëdha. Por këto të fundit nuk po marrin lojtarë nga akademitë e tyre, jo më nga Shqipëria. Megjithëse nga këtej mund të dalë edhe një lojtar me të ardhme të madhe”, u shpreh Jupi. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/
(Intervistën e plotë të Redi Jupit me video nga “Football Republic”, do e ndiqni nesër në 12:00 te faqa jonë në facebook, “Shqiperia.ch”.)