
Naser Aliji është rikthyer në formën më të mirë, teksa me Dinamon e Bukureshtit ka kapur ritmin e tij. Shumë vështirësi për mbrojtësin shqiptar, që ia doli edhe kundër dallgëve të mëdha të jetës, ndërsa për pak sakrifikoi edhe futbollin, pas një sëmundje të rëndë që i ndodhi një prej familjarëve të tij.
Por kjo tashmë i përket së shkuarës, ndërsa vetë ky futbollist, me një karakter luftarak që e karakterizon, nuk u demoralizua. Një shans iu dha te Dinamo e Bukureshtit, ekipi i njohur rumun, duke e shfrytëzuar atë në mënyrën më të mirë.
Këtu duhet të përmendet fakti se nuk ishte edhe aq e lehtë detyra për Alijin, pasi skuadra rumune ndodhej në një nga momentet më të vështira të kohëve të fundit. Tashmë në një prononcim për “Shqiperia.ch”, mbrojtësi i Kombëtares ka folur edhe në lidhje me zgjedhjet e fundit që po bëjnë lojtarët tanë, duke iu bashkuar “armiqëve të përjetshëm”.
“Për të gjithë shqiptarët që grumbullohen në Kombëtare, gjithmonë është një lumturi shumë e madhe. Padyshim edhe krenari, ndërsa unë jam gati dhe shumë i lumtur. Do të jap maksimumin për kuqezinjtë, ashtu siç kam bërë gjithmonë në kohët e fundit. Çdo lojtar e bën zgjedhjen e tij personale, por nuk ka më mirë sesa të luash për gjakun tënd”, u shpreh Aliji, që është ftuar nga Panuçi për dy ndeshjet e rradhës. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/