
Një nga figurat legjendare të futbollit në Shqipëri është padyshim edhe Erjon Bogdani. Me eksperiencën e jashtëzakonshme dhe gjithë leksionin e marrë nga shkolla italiane e futbollit, Kombëtarja do të përfitonte shumë gjatë atyre kohërave.
Për kundërshtarët ishte gjithmonë shqetësimi kryesor në skemat që organizoheshin, por e gjitha kjo i përket së kaluarës. Tashmë nuk kemi të bëjmë më me Bogdanin si futbollist, por atë si trajner. “Shqiperia.ch” ka intervistuar figurën e njohur sportive në vendin tonë, për të parë këndvështrimin e tij rreth Kombëtares, vlerësimin e hershëm për Armando Radën e dalë nga Interi dhe për karrierën e re në botën e futbollit.
Kombëtarja në moment jo të mirë dhe më shumë se kurrë ka nevojë për këshilla. Ndalemi këtu fillimisht, si mund të gjendet formula e suksesit?
Sipas meje nuk ekziston formula e suksesit, por duhet që lojtarët të grumbullohen dhe të luajnë në mënyrë të rregullt te ekipet ku ata aktivizohet. Kjo gjë na ka munguar në kohët e fundit.
Sa po e vuajmë në këto momente mungesën e një kapiteni të mirfilltë? Kemi ndërruar shumë krahë në pak kohë, sa i përket shiritit…
Nuk është problemi tek shiriti i kapitenit, sepse kur grumbullohesh me Kombëtaren të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Kjo nuk duhet të kthehet si një problem për ne.
Skema e fundit që ka sjell Reja te kuqezinjtë ishte ajo me 3 mbrojtës. Në këndvêshtrimin tënd, i kemi futbollistët për ta përballuar këtë skemë?
Të gjithë trajnerët kanë mendimet e tyre dhe janë për t’u respektuar. Reja ka luajtur gjithmonë me 3 mbrojtës në ekipet ku ka qënë më herët. Koha e tij ka qënë e pakët dhe sa më shumë kalon, aq më mirë do t’i njoh futbollistët. Është e vështirë që të nisim paragjykimet me 3 ndeshje.
Ndërkohë një eksperiencë e re për ju është ajo e trajnerit. Ku do të shohim në të ardhmen, ka një projekt konkret?
Kohët e fundit kam lëvizur shumë dhe kam folur me disa ekipe në Itali. Por deri tani ende nuk kemi diçka konkrete.
Armand Rada ishte një nga talentet më premtues në kohën që drejtonit te kuqezinjtë e vegjël. I qëndroni sërish së njëjtit vlerësim, se mund të ndihmoj edhe Kombëtaren e madhe në të ardhmen?
Armando Rada është lojtari i mirë, nuk diskutohet që nuk duhet t’i humb ato cilësi që zotëron. Të kalosh nga ekipi i të rinjëve te ekipi i parë është një hap i madh. Megjithatë duhet të punojë shumë që të tregoj talentin e tij çdo ditë.
Lojtari shqiptar që të ka dalê më shumë nga pritshmërit në aspektin pozitiv dhe ai që të ka zhgenjyer më tepër?
Nuk është mirë që të përdor emra sepse në moshën e tyre nuk duhet të nxitohemi me vlerësimet. Është mëse normale që të ndodh një periudhë reflektimi. Ai kalimi nga të rinjtë në skuadrër të parë, ka edhe ambientimin. Aty ndryshojnë stërvitjet, përplasjet dhe kontaktet që ndodhin në fushë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/