
Emocione të mëdha ka përjetuar mbrojtësi i ri shqiptar, Anxhelo Ndrecka, pasi është thirrur nga ekipi i parë i Kievos. Lojtari 17-vjeçar do të jetë i pranishëm në stol në takimin që Kievo do të zhvillojë gjatë mbrëmjes së sotme ndaj Bolonjës.
Mbetet për t’u parë nëse historia do të flas për Ndreckën, që në rast të një debutimi të mundshëm në elitën e kampionatit italian, duke parë moshën e tij, do të ishte një arritje fantastike. Më herët është grumbulluar edhe nga kuqezinjtë tanë, ndërsa kjo thirrje e Kievos në ekipin e parë nuk kishte ndodhur asnjëherë. “Shqiperia.ch” e ka kontaktuar menjëherë Ndreckën, për të marrë përjetimin dhe rrëfimin e tij, në prag të ndeshjes së sotme:
“Në orën 17:30 kisha mbaruar stërvitjen me ekipin e Primaverës si gjithmonë, ndërsa në 18:00 më bie telefoni. Ishte menaxheri i klubit të Kievos që më thotë shkurt: “Bëhu gati, të henën je me ekipin e parë në Bolonja”. Ay nisën menjëherë emocionet e mia. Ishte gati e pabesueshme. Hera e parë nuk mund të kalohet lehtë. Edhe familja, babai me mamanë timë kanë provuar emocione të mëdha, i kuptoj shumë mirë.
Unë kam arritur deri këtu vetëm falë familjes sime. Sa i përket trajneri Di Carlo është një person që e respektoj shumë. E falenderoj për këtë mundësi që më dha dhe sigurisht që e ëndërroj debutimin. Idhulli im është padyshim Elseid Hysaj, pasi më pëlqen shumë stili i tij i lojës”.
Ndërsa kur pyetet në lidhje me afrimin te Shqipëria, apo një largim i mundshëm që mund të ndodhë nga kuqezinjtë, Ndrecka shprehet: “Unë jam bashkangjitur me Kombëtaren edhe pse kam lindur në Itali. Tani mendoj për bërë mirë me ekipin e Kievos, por nëse me vjen thirrja, unë e pranoj me shumë kënaqësi”, ka thënë Ndrecka. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/