Bastien Toma quhet dhe një magji e vërtetë është për mesfushën e Sionit. Dy pasimet e tij të dhuruara për Lenjanin, kanë marrë vëmendjen e gjithë mediave botërore, pasi vertikalizimet e ardhura nga ana e Tomës, nuk mund t’i bëj çdokush, por vetëm një gjeni.
Shumë njerëz e kanë cilësuar futbollistin shqiptar edhe si Xavin e ri, pasi mënyra e pasimit të futbollistit të Sionit, është identike me legjendën që ka luajtur për Barcelonën. Të gjithë pas tij, por pak do të kenë fatin për të pasur në skuadër një lojtar të tillë. Për momentin është Sioni dhe Zvicra që kanë fatin të përfitojnë nga aftësitë e këtij njeriu, por për këtë të dytën, ka ende shumë dyshime.
Kjo është historia e një fëmije të lindur në vitin 1999, në datën 24 qershor, në Sion të Zvicrës. Në moshën 16-vjeçare, Toma ka bindur menjëherë drejtuesit e klubit zviceran, për të nënshkruar një kontratë profesionale me lojtarin shqiptar. Vetëm pak kohë dhe të gjithë do të mahniteshin me të.
Mesfushori shqiptar do i bindte të gjithë për aftësitë e tij, ndërsa tifozët e skuadrës do e shpallnin shpeshherë si lojtarin më të mirë të skuadrës. Nga Zvicra u hodhën menjëherë në sulm kundër Kosovës e Shqipërisë, duke u shprehur se këto të fundit, kërkonin të “grabisnin” nga helvetët një super talent.
Kjo e shpjegon më së miri se për çfarë lojtari flasim, ndërsa për momentin vetë futbollisti i ka kaluar të gjitha grupmoshat te helvetët, ndërsa aktualisht i përket edhe U-21 të Zvicrës.
Megjithatë, nga burime të sigurta pranë lojtarit, “Shqiperia.ch” mëson edhe të vërtetën sa i përket Bastien Tomas dhe përfaqësueses që ai do të zgjedh në të ardhmen. Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur interesimin e tyre për të marrë këtë lojtar, ndërsa vetë lojtari është në dijeni të së gjithës kësaj. Vendimi i tij është i tillë: “Kërkon 1-2 vite kohë, për të marrë vendimin përfundimtar”. Këtu nuk përjashtohet as Zvicra, Kosova apo edhe Shqipëria, që kanë të njëjta shanse për të pasur “të magjishmin” si pjesë të grupit të lojtarëve të tyre.
Pra, nëse prisni një vendim nga ana e Tomas gjatë kësaj periudhe, atëherë bëni mirë të ndryshoni diçka në mendimin tuaj, pasi 19-vjeçari kërkon më tepër kohë për të marrë vendimin e tij përfundimtar.
Nga ana tjetër interesimet që vijnë nga klubet për të marrë shërbimet e këtij lojtari, të lënë thjeshtë pa fjalë. Mjafton t’ju themi, se edhe Barcelona ka shprehur interesimin për mesfushorin shqiptar. Ky njeri ka këmbët e Xavit dhe katalanasit vuajnë aq shumë për të gjetur zëvendësuesin e asaj legjende që është larguar prej disa kohësh. Por jo vetëm gjigantët spanjollë, për Tomën janë gjithashtu të interesuar edhe klube si Marseja, apo edhe të tjera ekipe që luajnë në Bundesligë. Të gjithë pas Bastien Toma, ndërsa njeriu që morri gjithë vëmendjen e mediave të huaja për atë pasim për Lenjanin vetëm para pak kohësh, që nxorri jashtë loje 11 futbollistë kundërshtarë me një pasim të vetëm, ka një dëshirë: “Pak kohë, asgjë më shumë.” /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/