You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Babai i Taulant Seferit: Po interesohet edhe Kosova, trajnerit të Maqedonisë ia bëra të qartë

Ekskluzive/ Babai i Taulant Seferit: Po interesohet edhe Kosova, trajnerit të Maqedonisë ia bëra të qartë

Një sirenë alarmi ka rënë para pak ditësh për Taulant Seferin nga ish-trajneri i tij, Ismet Zeqiri. Ky i fundit ftonte Shqipërinë që të mos vononte për ftesën ndaj lojtarit të Young Boys, për ta bërë këtë sa ishte ende në kohë.

“Shqiperia.ch” është vënë menjëherë në lëvizje, për të kontaktuar familjarët dhe babain e futbollistit në fjalë, Vukas Seferi. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, babai i Taulantit ka pranuar se koha në pritje ndikon dhe së fundmi është Kosova që po shfaq interesim, me Maqedoninë e Veriut dhe telefonatat e vazhdueshme të cilat nuk llogariten.

Por pavarësisht kësaj, dëshira e lojtarit të skuadrës zvicerane është një edhe e vetme, bashkimi me Kombëtaren A të Shqipërisë. Jo më kot Seferi ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve shqiptarë, duke u adhuruar edhe për frymën patriotike që përçon, jo vetëm si një talent me vlera të mëdha.

Na e përshkruani pak Taulantin në fëmijëri. Si i lindi ideja për t’iu bashkangjitur futbollit?

Taulanti rrjedh nga një familje atdhetare, patriote dhe kombëtare. Por njëkohësisht njihemi edhe si sportist, si nga ana e gjyshit të tij, që nisi të luante futboll në Jugosllavi. Kudo që shkonte e merrte me vete kur Taulanti ishte vetëm 5 vjeç. Më pas ka filluar te shkolla e futbollit të FK Milanos, atje ku u rrit dhe në moshën 15-vjeçare kaloi në ligën e parë, te Rabotnicki. Atje u dallua për talentin e tij.

Jo vetëm talent i madh, por edhe patriot i këtyre përmasave. Kush ia ka futur këtë frymë?

Shikoni, djalin e pikasi menjëherë Maqedonia, atje ku ka qënë kapiten në të gjithë moshat nga U-15 dhe deri te U-20. Dua të ndalem pak kur Taulanti shkoi 17-vjeç, pasi vendosi historinë te Maqedonia, duke ia kaluar edhe Goran Pandevit. Kjo pasi u thirr në dy ndeshjet miqësore nga Maqedonia A, ndërsa ishte vetëm 17-vjeç. Pavarësisht kësaj, gjithmonë kishte dëshirën e madhe që të vishte fanellën e Shqipërisë. Pastaj ishte koha për kualifikueset e U-21 dhe Maqedonia i dërgoi sërish ftesë, por vetë Taulanti do t’i refuzonte duke i thënë: “Nuk dua të luaj më me ju, por do të luaj për kombin tim shqiptar”.

Sa shumë jeni dëshpëruar për një ftesë të munguar, por të merituar mund të themi nga Kombëtarja A e Shqipërisë?

Për këtë temë nuk dua të përzihem shumë aty, pasi drejtuesit e dinë më mirë punën e tyre. Por sigurisht që nuk e kuptoj sesi Panuçi më parë dhe Reja tani nuk e kanë thirrur. Alban Bushi e ka përsëritur disa herë që Seferi është për Kombëtaren A dhe e meriton fanellën kuqezi. Ju si gazetar gjithashtu e keni vlerësuar në maksimum.

Nga shumë raste të kohëve të fundit, ekziston një frikë e vogël edhe te tifozët shqiptarë për një largim të mundshëm. Sa gjasa ka që kjo të ndodh me Taulantin?

Mua shpeshherë më ka thirrur trajneri i Maqedonisë në telefon, Igor Angelovski, duke më thënë se Taulanti e ka vendin te përfaqësuesja e tyre. Unë ia kam përsëritur shumë herë dhe ia kam bërë të qartë se djali do të vesh fanellën e kombit të Shqipërisë. Por nga ana tjetër koha po kalon, ndërsa së fundmi ka shfaqur interesim edhe Kosova për të.

Dhe cili është mendimi i Taulantit në këtë situatë?

Ai më thotë gjithmonë që duhet të presim edhe pak, për t’i mbërritur ftesa nga Kombëtarja.

Për të mbërritur edhe te ekipi. Ia ka garantuar Young Boysi një vend në skuadër, duke parë që do të jenë edhe pjesë e Champions League?

Ka luajtur edhe më parë me Young Boysin, madje kundër Evertonit në 2016. Tani është rikthyer prapë. Ka pasur shumë oferta në këtë merkato, por e gjeti veten te Young Boysi, pasi ata i dinë më së miri vlera e tij. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top