
Përpara ndeshjes miqësore me Jordaninë, të gjithë tifozët shqiptarë ishin të sigurt për fitoren e kuqezinjve. Këtu nuk flisnim vetëm për diferencat mes dy Kombëtareve, por edhe për drejtësinë e këtij takimi.
Kështu, katër gjyqtarë shqiptarë ishin ata që mbajtën drejtësinë në këtë miqësore, me kryesorin Genc Nuza. Ky i fundit u kthye në personazhin negative të mbrëmjes, teksa i mohoi një penallti të pastër Grezdës. Vetë futbollisti i Rangersit do të befasohej në fundin e takimit: “Nuk e kuptoj se përse veproi në atë mënyrë arbitri. Goditje më të keqe nga mbrapa, nuk kisha marrë në karrierë”.
Këtë vendim të Genc Nuzës, e ka komentuar edhe një nga trajnerët më të njohur të trevave shqiptare, Ismet Munishi. Në një prononcim për “Shqiperia.ch”, tekniku është shprehur se kryesori i ndeshjes së djeshme, e ka të vështirë të japi penalltinë, aqsa shpeshherë ka dëshirën për të treguar se është shumë i mençur.
“Nuza është një arbitër shumë i mirë, por vështirë se të jep penallti. Arbitrat duhet të jenë hije në fushë. Nëse deri tani ka gjyqtarë në Shqipëri e Kosovë, që kërkojnë qendrën e vëmendjes, atëherë nuk mund të themi se kemi gjykim të mirë.
Të vetmin gabim që unë shoh te Nuza, është se ndonjëherë kërkon të tregojë se është tepër i mençur, si në rastin konkret.Ishte penallti e pastër, gaboi arbitri dhe kushedi se çfarë shpjegimi do të japi tani”, u shpreh Munishi. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/