
Pas dhimbjeve, është gjithmonë momenti i lehtësimit. Naser Aliji kaloi periudhën më të vështirë të jetës së tij, teksa pas një drame familjare të përjetuar, me vdekjen e babait, u rikthye të luajë sërish në nivelet më të larta.
Tashmë si pjesë e Dinamos së Bukureshtit, mbrojtësi shqiptar ka shkëlqyer në fazën përgatitore para rinisjes së kampionatit. Në ekipin rumun ishin të gjithë të sigurtë për largimin e shqiptarit, pasi nuk po e gjente formën fizike të duhur.
Por gjithçka ndryshoi, me Alijin që rezultoi si fitorja më e mirë në gjithë humbjet e pësuara nga Dinamo e Bukureshtit në takimet miqësore. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, Aliji shprehet se mendoi edhe braktisjen e futbollit për një moment.
Si është gjendja fizike jote e momentit, duke marrë parasysh atë periudhë aspak të mirë të kaluar së fundmi?
Gjithmonë e më mirë po ndihem. Tani mund të them se nuk kam më dhimbje kur luaj në fushë, ndryshe nga më parë.
Me ekipin rumun u mendua edhe një largim i mundshëm. Situata ndryshoi rrenjësisht pas fazës përgatitore apo jo?
Po faktikisht ma bën pak problem gjëndjen time fizike. Kam qenë i lënduar dhe kjo ishte e kuptueshme. Gjithsesi mbetet e shkuara, pasi tani janë të kënaqur me mua.
Me trajnerin ke pasur komunikim së fundmi?
Ishte nervoz për dëmtimin dhe kishim lënë marrëveshjen se deri në 9 janar nëse nuk do të isha gati për stërvitje, do të ma ndërpriste kontratën. Tani është i kënaqur dhe ka besim te mua.
Një dramë familjare e kaluar, ndërsa riktheheshe me një ekip jo shumë të njohur në Zvicër. Sa e vështirë ishte për të ndërrmarë një vendim të tillë?
Moment shumë i vështirë, sepse babai ndërroi jetë dhe për familjen time ishte një situatë po aq e vështirë. Në një ambient të tillë u nisa edhe për në Bukuresht. Jeta vazhdon pavarësisht se nuk është më njësoj si më parë.
A ishte ky momenti më i vështirë i karrierës tënde dhe e mendove një tërheqje të mundshme nga futbolli?
Jo vetëm i karrierës sime, por edhe i vetë jetës. Më vërtet që nuk mund ta përshkruaj atë dhimbje që kam ndierë gjatë atyre momenteve. Po e kam menduar edhe më të keqen, për një tërheqje të mundshme.
Thuajse të gjithë kanë kritika për të, por Panuçi të ka dhënë një dorë të madhe. Si është raporti yt me italianin?
Mua nuk më interesojnë ato që të tjerët thonë. Me Panuçin i kam punët mirë, e falenderoj shumë që më ka ndihmuar edhe në ato momente kur isha pa ekip. Këtë nuk e harroj kurrë. Të luash me Kombëtaren është kënaqësia dhe krenaria më e madhe për të gjithë shqiptarët. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/