
Shumë vuan Shqipëria në mesfushë dhe kjo për të vetmen arsye, asnjëherë nuk ka qenë e plotë në këtë pjesë të fushës. Shumë dëmtime ka pasur Panuçi gjatë ndeshjeve të fundit, teksa edhe kur i rikthehet pjesa më e madhe e futbollistëve, i mungon një futbollist që arrin të bëj diferencën, Amir Abrashi.
Ky i fundit mund të bëj çudira i vetëm në fushë, brenda limiteve të lejuara sigurisht. Kombëtarja ka nevojë për mushkëri dhe vetëm maratonomaku ia jep frymëmarrjen e duhur. Sa i përket pjesës tjetër të mesfushorëve, ka shumë luhatje te kuqezinjtë, vetëm Taulant Xhaka është ai që bind me performancat e tij.
Një dëmtim të rëndë pësoi Amir Abrashi me Frajburgun, që e ka mbajtur jashtë fushës së blertë prej kaq shumë kohësh. Megjithatë kjo nuk ka për të vazhduar edhe shumë gjatë, pasi mesfushori kuqezi po përpiqet të luftojë me kohën për t’u rikthyer në fushë. Ai është ende duke bërë stërvitje të diferencuar te ekipi gjerman, për të marrë ajrin që i nevojitet dhe fushën që i mungon aq shumë prej kohësh. /Shqipëria.ch/