
Ndonjëherë fati tregohet aq ironik, aqsa disa momente janë shumë të vështira për t’u shpjeguar. E njëjtë është edhe situata aktuale e Rei Manajt, i cili ndodhet në spital për t’u mjekuar.
Gjatë takimit të djeshëm mes Granadës dhe Albacetes, sulmuesi shqiptar mori një dëmtim të rëndë, teksa përfundoi duke dalë me barrela nga fusha, pas takave në fytyrë që mori nga mbrojtësi German.
Tifozët e Majorkës janë të vetmit që i janë gëzuar një momenti të tillë fatkeq të Manajt, pasi e vuajtën në kurrizin e tyre një situatë të tillë para pak kohësh. Kur Albasete do të luante në transfertë ndaj Majorkës, Manaj do të dërgonte në spital mbrojtësin Xisko Kampos, që largohej me urgjencë drejt spitalit po për të njëjtin dëmtim.
Gjithçka identike dhe pa asnjë ndryshim të vetëm, përveç ndërrimit të roleve, me Manajn që dikur ishte shkaktari, e tashmë “viktima”. Madje, ashtu si shqiptari që do t’i shkonte në spital Kamposit pas asaj që i shkaktoi, edhe mbrojtësi German i ka mbërritur në urgjencë Manajt, për të parë më nga afër gjendjen e tij. Disa reagime të lumtura për atë që ndodhi në takimin e djeshëm ishin të pashmangshme për tifozët e Majorkës, që nëpërmjet “Twitterit” përmendnin efektin KARMA. /Shqiperia.ch/