
Elseid Hysaj dhe transferimi i tij në skuadrën e re, është kthyer në një telenovelë të mirfilltë që ende i dihen seritë, për të kuptuar nëse jemi në fund të saj apo do të duhen edhe shumë kohë të tjera.
Pasi thuajse e njëjtë u paraqit situata edhe në merkaton e janarit, ku mes emrave të shumë ekipeve që u interesuan për mbrojtësin shkodran, në fund u vendos qëndrimi te Napoli. Këtë herë vetëm qëndrimi në skuadrën e Ançelotit nuk ka gjasa të ndodhë, por e ardhmja është e vështirë të gjendet.
Në bazë të lajmeve të fundit që vijnë nga Italia, Manchester United ka dalë përfundimisht nga gara për të marrë lojtarin shqiptar, duke përmbyllur një tjetër transferim për krahun e djathtë. Nga ana tjetër edhe Roma duket larg, pavarësisht zhurmës së fundit.
Italianët duhet të mbyllin njëherë çështjen Florenzi, por Hysaj nuk mund të mbetet peng i këtij rasti. Dy gjasat më të mëdha janë që shkodrani të përfundoj te Atletico Madridi, me mediat sportive që e kanë dhënë si fakt të kryer prej kohësh.
Por këtu nuk mund të lëmë pa përmendur shanset që Sarri ta tërheq te Juventusi, duke ditur afeksionin e veçantë që ka me lojtarin e Kombëtares. E në fund për të përmbyllur misterin e madh, kujtojmë fjalët e Dritan Shakohoxhës pas ndeshjes me Moldavinë: “Elseid Hysaj ka firmosur me Interin, madje ka gjetur edhe shtëpinë në Milano, por gjithçka po mbahet secret”. /Shqiperia.ch/