
Patjetër që në “La Liga 2” duhet të jetë një rregull i veçantë dhe i çuditshëm, që goli quhet vetëm atëherë kur tundet rrjeta. Ndryshe nuk mund të shpjegohet ai mohim goli që i kanë bërë Manajt.
Në atë fitore të Albacete në transfertë ndaj Kordobas, me rezultatin 1-3, do të realizonte edhe sulmuesi shqiptar. Megjithatë realizimi i tij nuk do të vlente, pasi për gjyqtarët nuk e kishte kaluar vijën. Pamjet filmike të përsëritura më vonë do e tregonin qartë, sesi portieri kundërshtar e merrte topin nga brenda vijës.
Por në këtë kampionat, nuk ekziston VAR-i. Kjo është hera e dytë që Manajt “i vidhet” e drejta, megjithëse këtë herë rezultoi e padëmshme. Në javët e kaluara, do të ishte qendërmbrojtësi i Granadas që do i mohonte golin shqiptarit me një ndërhyrje të gabuar, si lojtar i fundit, por arbitri e kaloi vetëm me karton të verdhë. Të dyja këto raste kanë mjaftuar që në Spanjë të kërkojnë VAR-in edhe në “La Liga 2”. /Shqiperia.ch/