Gjithmonë kur një ekip i madh ndeshet me një tjetër më të dobët në letër, trajneri i skuadrës favorite në konferencën për shtyp, ka gjithmonë mënyrën standarde për t’i motivuar lojtarët: “Duhet të fitojmë edhe këtu, sepse të gjitha ndeshjet vlejnë 3 pikë”.
Faktikisht, aty për aty, ndoshta edhe llogjika e duhur për t’u përdorur. Por nëse shohim më gjerë dhe analizojmë në detaje, e gjitha kjo frymë e përdorur mund të quhet e gabuar. Rasti konkret është ai i Milanit, me Gatuzon që i duhet të largohet nga kuqezinjtë, pikërisht për arsyen se jo të gjitha ndeshjet vlejnë 3 pikë.
E çuditshme duket sesi Milani nuk arriti në “Champions League”, megjithëse arriti të bënte shumë fitore në këtë kampionat, duke gabuar rrallëherë ndaj ekipeve të dobta. Por dështimi i kuqezinjve në objektiva erdhi pikërisht ndaj dy skuadrave, Interit dhe Torinos. Në përballjen direkte ndaj zikaltërve, Milani dështojë për të fituar në dy takimet, duke i hapur rrugën rivalit të përjetshëm.
Sepse në rast të një fitore, Gatuzo nuk do të grumbullonte vetëm tre pikët e tij, por i hiqte edhe mundësinë kundërshtarit direkt për t’u rritur sadopak në tabelë, që në fund bën diferencën. Ky ishte gabimi, ndërsa dështimi i dytë ishte në përballjen me Torinon, ku po luftohej për një vend në “Champions League” në javët e fundit.
Drejtuesit e italianëve, për të mos dalë kundër principeve të tyre, ishin të detyruar të shkarkonin trajnerin. Megjithatë duke parë fitoret e shumta, edhe vetë tifozët e Milanit e dinë sesa e vështirë do të jetë të gjejnë dikë tjetër që t’i afrohet Gatuzos. Por ky është rregulli i jetës dhe i futbollit: “Jo çdo fitore vlen dhe shijon njësoj, gjithmonë shihet kundërshtari që ke përballë”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/