
Kombëtarja e Shqipërisë ka zbritur që në ditën e djeshme në Gjermani, atje ku do të vazhdojë stërvitjen në prag të ndeshjes me Islandën. Kjo përballje ka rëndësi jetike për kuqezinjtë tanë, pasi aty varen edhe shpresat për një kualifikim të mundshëm në Europian.
Ndalesa e parë e Shqipërisë në Gjermani, do i motivonte edhe më shumë lojtarët tanë. Ata fillimisht u ndalën për të drekuar në një nga restorantet më të mira të zonës në Koln, “Remos”. Ky biznes administrohet nga kushurinjtë e parë të Milot Rashicës, futbollistit aq të dashur për tifozët shqiptarë që luan me Werder Bremenin.
“Shqiperia.ch” ka kontaktuar menjëherë me këtë restorant, ku drekoi edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Familja Rashica e cila administron restorantin në fjalë, ishte e përbërë nga tre vëllezër dhe një motër. Stafi adminstrues i këtij biznesi u tregua menjëherë i gatshëm, mes një dashurie të madhe dhe përkushtimi, për të na dhënë çdo informacion të nevojshëm.
“Ne jemi një. Rrënjët e dashurisë për futbollin janë shumë të thella në familjen tonë”, tregon me krenari Remo Rashica, njëri prej vëllezërve të kësaj familje. Kjo pasi restoranti në fjalë ka mbështetur shoqatën rajonale të futbollit TuS Koblenz në të gjitha aspektet. “Remos Restaurant’ ka një shtrirje në Koblenz, në Koln dhe Frankfurt.
Lojtarët e Shqipërisë kanë gjetur jo vetëm një ushqim të shëndetshëm, por edhe dashurinë e madhe të pjesëtarëve të stafit dhe administruesëve. Gjithashtu janë bërë edhe disa foto për të kujtuar këtë kohë të bukur.
Pikërisht, është kjo një arsye e madhe krenarie për shqiptarët. Thuajse gjithçka prekin në Europë, arrijnë për ta dërguar në majat më të larta. Rasti i familjes Rashica është njëri prej tyre, për të vërtetuar sesa larg mund të shkojmë, duke “pushtuar’ edhe zemrën e Europës, me dashurinë e madhe dhe dëshirës për të punuar. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/