
Goli i parë në kampionat erdhi për Ledian Memushajn te Peskara sa i përket këtij sezoni, por flitej për një kryevepër të vërtetë. Gjuajtja nga distanca përfundoi në rrjetën e Palermos, duke e fituar takimin me përmbysje në shifrat 3-2.
Në përfundimin e ndeshjes, Memushaj është treguar i sinqertë duke mos i mbajtur të gjithë meritat. Mesfushori vlonjat u shpreh se kishte pasur edhe një devijim nga lojtarët kundërshtarë, përpara se topi të përfundonte në rrjetë.
“Te goli kishte edhe një ndihmë të vogël nga kundërshtari, pasi u devijua pak topi. Por e rëndësishmja ishte fitorja dhe që u dha sinjali. Triumfuam në një moment delikat dhe gjetëm rrugën e duhur. Ky është një kampionat i fortë për të gjithë. Kemi një marrëdhënie të veçantë me tifozët dhe ata do të na ndihmojnë për të na rikthyer në elitën e Italisë”, ka thënë Memushaj. /Shqiperia.ch/