Bazeli ndodhet në një krizë të vërtetë rezultatesh, teksa këtë herë ka humbur ndaj Thunit me rezultatin 4-2 në transfertë. Pavarësisht se gjendej në avantazh, skuadra e Koller nuk ka arritur dot të ruajë rezultatin e të dalë me tre pikët.
Në minutat e fundit, kur nervat nuk mbanin më, Xhaka është ndëshkuar me kartonin e verdhë për mbajtje të fanellës ndaj kundërshtarit, ndërsa nuk i ka kursyer edhe sharjet ndaj tij në gjuhën shqipe.
Taulant Xhaka ka qenë edhe njëherë në rolin e qendërmbrojtësit si në takimet e fundit, duke mos pasur asnjë peshë faji në golat e pësuar. Në një intervistë përpara këtij takimi, futbollisti i Kombëtares ka folur edhe eksperiencën e re si qendërmbrojtës.
Me humor Xhaka shprehet se lodhet më pak në fushën e lojës, duke mos parë edhe shumë ndryshime madhore mes mesfushës dhe mbrojtjes.
“Mua më pëlqen më shumë të jem në qendër të mesfushës. Qartësisht aty është pozicioni im i preferuar. Por edhe qendra e mbrojtjes ka avantazhet e saj. Përshembull? Nuk lodhesh shumë duke vrapuar në fushë sa në mesfushë(qesh). Jo seriozisht, nuk është ndonjë ndryshim aq i madh sa mund të mendohet fillimisht.
Jam sërish në qendër, vetëm se këtë herë kam gjithë fushën përpara dhe mund ta kontrolloj atë. Gjithashtu edhe në strukturën e lojës është më e thjeshtë si koncept, pasi në mesfushë ke presion nga të gjitha anët dhe një humbje e topit mund të sjell kundërsulmin.
Trajneri më pyeti nëse kisha luajtur më parë në këtë pozitë dhe i pohova se ka ndodhur në kohën e Souzës, duhej që të tërhiqesha. Megjithatë nuk përbën problem për mua. Ulja në stol? Kur isha i ri, si Albian Ajeti reagoja më fortë ndaj gjërave të tilla. Tani jam më i rritur në moshë dhe më i pjekur”, u shpreh Taulant Xhaka për “BzBasel”. /Shqiperia.ch/