
Vrushaj është sulmuesi që po shkëlqen me Willem II së fundmi dhe një nga ata lojtarë që nuk kemi luksin për ta humbur. Në pak ndeshje pasi shkoi si huazim nga Olimpiakosi te klubi holandez, futbollisti shqiptar ka treguar vlerat e tij, duke e marrë menjëherë vendin e titullarit.
Mundësitë janë të mëdha që ky lojtar t’i bashkohet Shqipërisë, por edhe rreziku i quajtur “Greqi” mbetet konstant. Mjafton këtu të përmendim faktin se Vrushaj është aktivizuar me të rinjtë e Greqisë, ndërsa është folur së fundmi edhe për një afrim të kuqezinjtë.
Tashmë janë mediat holandeze që kanë intervistuar dy futbollistë të Willemit, Vrushajn dhe Vangelis Pavlidis, duke i etiketuar si dy lojtarë grekë, ndërsa kanë miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin. Ky i fundit të shton edhe më shumë dyshimet për të ardhmen e sulmuesit tonë: “Nuk jemi vetëm ne, këtu ka shumë lojtarë grekë që luajnë në Holandë. Kjo është një gjë e mirë edhe për vetë Kombëtaren tonë.Do të doja të shkoja në finalen e Kupës së Holandës, të shkonim në Europian me Greqinë dhe përse jo, një kalim i imi në “Premier League”, tha duke qeshur Pavlidis.
Nga ana tjetër më i rezervuar ishte Vrushaj, që ende nuk ka bërë asgjë zyrtare mbi vendimin e tij përfundimtar rreth Kombëtares që ka zgjedhur: “Ka ndryshime mes Greqisë dhe Holandës. Këtej është pak më qetë, njerëzit janë të mirë, më pëlqen këtu. Gjithsesi më mjafton të luaj futboll, pasi gjithçka tjetër rregullohet. Sigurisht që do të luftojmë për Kupën. Unë kam vetëm një vitë e gjysëm si huazim këtu, por le të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Vrushaj. /Shqiperia.ch/