
Besian Idrizaj ishte rasti më i mirë i dëshmisë se çdo futbollist duhet t’i jetë mirënjohës njërëzve që i kanë dhënë dorën e parë kur ka qënë në nevojë, por duke mos e harruar asnjëherë atdheun e tij. Ish-futbollisti i Swanseat dhe Liverpulit ndodhej në kulmin e karrierës, derisa jeta i ktheu monedhën tjetër.
Me origjinë nga Peja dhe i rritur në Austri, Idrizaj ndërroi jetë në gjumë dhe në shtëpinë e familjes së tij, në Linz. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi në 15 maj të vitit 2010 pas një sulmi në zemër, ndërsa mjekët e paralajmëruan shumë kohë më parë për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej. Por shqiptari nuk hoqi asnjëherë dorë nga ëndrra, duke vazhduar të luajë futboll në ritme të larta.
Pasi përfaqësoj të gjitha moshat e Austrisë, do të ishte vetë Idrizaj që do t’i bënte kërkesë FSHF-së për t’u bashkuar me Shqipërinë. Teksa dukej se gjithçka po shkonte në rrugën e duhur në këtë drejtim, e papritura e madhe e bëri të pamundur që të vishej me fanellën kuqezi. Ndoshta edhe vetë lojtari e parandjeu një gjë të tillë, ndërsa së fundmi është klubi i Swanseat që e përkujton vdekjen e tij: “9 vite që kur të kemi humbur. Ne nuk do të harrojmë kurrë ty. U prefsh në paqe Besian”. /Shqiperia.ch/