
Rezultate pozitive është duke arritur trajneri Shaland me Kosovën. Më parë “dardanët” mposhteshin rregullisht, thuajse në çdo takim, ndërsa tani shija e humbjes i përket së shkuarës.
Por asgjë nuk vjen rastësisht dhe këtu disa merita ka edhe trajneri zviceran. E menjëhershme lind pyetja: “ Çfarë ndryshoi kaq shpejtë, si me shkop magjik?” Grupi Bunjaku ishte vetëm një prej tyre. Sa shumë futbollistë do të kishte në këtë përfaqësuese me këtë mbiemër të shkruar në fanellë. Për më tepër, vetë Shalandi ia morri vendin në pankinë pikërisht një tjetër Bunjaku, Albertit, që dështoi në kualifikueset e Botërorit të Rusisë.
Egzon Bunjaku, Imran Bunjaku, Alban Bunjaku dhe Albert Bunjaku, ishin disa nga futbollistët që grumbulloheshin më shpesh në ndeshjet e shkuara. Por me ardhjen e Shaland në krye të Kosovës, situata ndryshoi dhe hapësirat për ta u zvogëluan gjithmonë e më tepër,aqsa zvicerani u tregoi edhe derën.
Në listën e të përjashtuarve, u përfshi edhe mesfushori i Akhmat Gronzi, Bernard Berisha. Futbollisti që dikur shkëlqen me Skënderbeun, shihej si një nga futbollistët më premtues të Kosovës, ndërsa loja e tij shpërthyese në krahë, i bëri për vete “dardanët” për pak kohë. Me ardhjen e Shaland, në kohën e përfaqësueseve, Berishës nuk po i vjen më një ftesë për t’u grumbulluar me pjesën tjetër të lojtarëve. /Shqiperia.ch/