Të gjithë janë në një zë kundër Elseid Hysajt dhe paraqitjeve të fundit që mbrojtësi shqiptar ka treguar me Napolin. Megjithatë, për çdo njohës të mirë të futbollit, është e kuptueshme që një lojtar të ketë luhatjet e tij gjatë karrierës, por e rëndësishmja është që të mos devijojë asnjëherë nga rruga e drejtë.
Disa oshilacione mund të quhen edhe këto të shkodranit, që nuk po e gjen dot veten e tij, ndërsa trajneri Ançeloti po ia vështirëson edhe më tepër këtë periudhë, pasi Hysaj ka presionin e një largimi nga vendi i titullarit. Ndërkohë në Itali nuk ka vetëm zëra kundër futbollistit të Kombëtares, që pas paraqitjes ndaj Romës, pati kundër tij edhe mediat, por edhe nga ato që e mbështesin.
Ish-futbollisti i njohur italian, Beppe Accardi, në një intervistë për Radio “CRC”, foli edhe në lidhje me këtë çështje, duke e parë problemin tjetërkund: “Hysaj është shumë mirë me klubin e Napolit, në një ekip që lufton për titullin kampion. Por sikur mbrojtësi shqiptar të mos ishte marrë nga një ekip i vogël, siç ishte ai i Empolit, atëherë me patjetër që do justifikonin këtë periudhë të keqe që po kalon”, u shpreh Accardi. /Shqiperia.ch/