Shqipëria do të përballet ndaj Turqisë në ditën e nesërme, në provën e parë të vërtetë për kualifikueset e Europianit. Trajneri Panuçi ka dalë në konferencë, për të folur më shumë rreth gjendjes së Kombëtares teksa jemi një ditë para përballjes së madhe. Italiani vendosi theksin në faktin se nuk i frikësohet nivelit të kundërshtarit, pavarësisht cilësive që ai ka në grupin e lojtarëve.
“Futbollistët janë të frymëzuar dhe janë gati fizikisht dhe moralisht. Tashmë na duhet të presim nesër. Sadiku do të luajë, pavarësisht se nuk është në maksimumin e tij. Kemi Grezdën, Uzunin. Na mjafton vetëm një gol për të shënuar dhe për të fituar. Turqia ka sulmues dhe lojtarë të mirë, që luajnë në kampionate të rëndësishme. Unë kam shumë respekt për ta, por aspak frikë.
Fillimisht ne duhet të kuptojmë se kush jemi ne. Unë jam gjithmonë pozitiv pasi djemtë janë në gjendje të mirë dhe kanë kualitetin për të fituar takimin. Lenjani është grumbulluar shumë herë nga Kombëtarja. Nuk vjen këtu për të respektuar Panuçin, nuk vjen këtu për të respektuar Dukën, por për të respektuar Shqipërinë. Një lojtar që i shkruan këto nga “Instagrami”, është për të ardhur keq. Xhaka është treguar shumë profesionist deri tani”, ka thënë Panuçi. /Shqiperia.ch/