Pavarësisht se e mohoi kontaktin me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit për një marrje të mundshme të pankinës së Shqipërisë, pas ndeshjes së Turqisë, Reja do e pranonte në Itali këtë mundësi. Në mediat italiane tekniku i njohur do të shprehej se kishte kërkuar 24 orë për të reflektuar, ndërsa do e jepte verdiktin menjëherë pas ndeshjes së Andorrës.
Tashmë janë duke u mbushur 48 orë dhe asnjë përgjigje nuk ka ardhur ende nga ky trajner. Mediat italiane kanë kërkuar më tepër rreth këtij rasti, duke dalë në përfundimin se Shqipëria e pret trajnerin Reja deri të premten. Pra, përpara fundjavës mund të kemi një zyrtarizim të mundshëm të teknikut italian, ose në të kundërt do të largohet si një mundësi zgjedhja e parë për të marrë drejtimin e Kombëtares.
Nga ana tjetër është konfirmuar edhe kontakti me trajnerin tjetër italian, De Canio, që ka një eksperiencë të gjatë si trajner në Itali, duke marrë vetëm QPR jashtë saj. Por zgjedhja e parë për Shqipërinë duket të jetë Reja, që ka kohë për të kthyer përgjigje deri të premten. /Shqiperia.ch/