
Një vëmendje e madhe është përqendruar te Endri Çekiçi, sa i përket legjionarëve shqiptarë. Reja e ka ndjekur nga afër sulmuesin, por pa i dhënë hapësirën për të luajtur me Kombëtaren. Megjithatë Çekiçi kthehet si protagonist në çdo javë me super golat e realizuara te Olimpik Ljubjana.
Pra, ka dyshime për cilësinë e kampionatit në Slloveni, prandaj duke parë edhe moshën e Çekiçit është vendosur që të pritet për mundësinë e tij që të tregojë vlerat te kuqezinjtë. Por kjo ditë nuk do të vonojë edhe shumë gjatë, pasi Çekiçi po bëhet gati për hapin e madh.
Sipas asaj që raporton media sllovene “24ur” në orët e fundit, ka oferta nga Italia dhe Spanja. Për më tepër theksohet se këtu nuk bëhet fjalë për oferta të rëndomta, por që u përkasin shifrave të miliona lekëve. Megjithëse nuk caktohet saktë shifra për blerjen e kartonit, transferimi do të kryhet në merkaton e janarit.