
Ermir Lenjani ka shpërthyer këtë herë kundër Panuçit, me plot kuptimin e fjalës. Trajneri italian nuk e preferoi këtë lojtar për të marrë te Shqipëria, për zgjedhje teknike. Futbollisti ishte i gatshëm për t’iu bashkuar kuqezinjve, pasi ka luajtur thuajse gjithmonë në Zvicër.
Por një refuzim të tillë nuk e kapërdirë lehtë Lenjani, që ka zgjedhur të flas për gjithë momentin e vështirë që po përjeton. Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, lojtari shprehet se nuk ka për t’iu bashkuar më Kombëtares, deri në momentin që do të largohet Panuçi.
“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Sa herë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë.
Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minut në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë.
Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djal i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar”, ka thënë Lenjani. /Shqiperia.ch/