Arlind Ajeti u dëmtua në takimin që ekipi i Grashopërsit zhvilloi ndaj Bazelit, ndërsa më ironikja ishte fakti se lëndimi erdhi pas një përplasje me vëllain e tij, Albianin.
Një problem në shpatull bëri që mbrojtësi i Shqipërisë të ndiente shqetësime të mëdha, ndërsa në Zvicër ishin të sigurtë: “Arlindi e ka mbyllur vitin futbollistik”. Por ky ishte një përfundim i nxituar, ndërsa fatmirësisht për lojtarin, ai do të kthehet në një periudhë më të shpejtë në fushën e blertë.
Sipas ekzaminimeve të mëtejshme, i gjithi ai alarm për Arlindin ishte i rremë, pasi futbollisti i Kombëtares nuk duhet të presë vitin e ardhshëm për t’u rikthyer në fushën e lojës. Ai do të jetë i gatshëm për vetëm disa javë, ndërsa sipas të gjitha gjasave, mund të rikthehet në fushë me Grashopërsin në muajin dhjetor.
Por gjithsesi kjo nuk ndryshon asgjë sa i përket Kombëtares, pasi kuqezinjtë do të luajnë në nëntor dy takimet e tyre. /Shqiperia.ch/