
Ndërsa ndeshja e Shqipërisë me Turqinë afrohet gjithmonë e më tepër, një lajm aspak i mirë vjen për Panuçin. Grezda është shfaqur me paterica dhe është dëmtuar në fazën përgatitore që Rangersi po zhvillon në Spanjë.
U mendua se moti i mirë i munguar në këtë vend europian do i bënte mirë Grezdës, që nuk po përshtatej me klimën e ftohtë të Skocisë, por mesa duket e keqja nuk ka fund. Tashmë futbollisti shqiptar po përballet me një tjetër dëmtim, që mund të vendosë jo pak edhe për karrierën e tij me klubin që drejtohet nga Gerrad.
Grezda nuk ka arritur të bind ende me aftësitë e tij në kampionatin skocez, ndërsa sa i përket dëmtimit në fjalë nuk ka ende një kohë ekzakte sa i përket mungesës që pritet nga ana e shqiptarit. Por ajo që mund të quhet e frikshme në këtë rast, është se lojtari i Kombëtares ka shkuar me dëmtim në kyçin e këmbës te Rangersi fillimisht, e një tjetër dëmtim i tij brenda një kohe të shkurtër, tremb jo vetëm Shqipërinë para Turqisë, por edhe vetë lojtarin për karrierën e tij. /Shqiperia.ch/