
Kosovare Asllani ka marrë gjithë vëmendjen e mediave në Suedi para pak kohësh, teksa foli edhe për origjinën e saj dhe çështjen e shqiponjës. Futbollistja në fjalë ishte një prej atyre që zgjodhi këtë mënyrë festimi dhe hasi polemikat në vendin e saj, që nuk e donin të përsëritur një gjë të tillë.
“Nuk e kuptoj se çfarë pune prish një festim i tillë. Është pjesë e prejardhjes time, nder dhe krenari për të gjithë shqiptarët. Kam dëgjuar se është pëlqyer shumë si gjest nga shqiptarët e Kosovës.
Një televizion në Kosovë e ka përsëritur festimin tim me shqiponjë për 24 orë. Ndiej krenari dhe mund të them se jam e nderuar. Tashmë më është thënë se nuk duhet ta bëj shqiponjën më. Nuk e di sesi do të shkojnë gjërat, por janë rregulla që duhet të zbatohen. Herën tjetër do ta formoj ndonjë zog me duar dhe do të shoh a do të reagojnë njësoj”, ka thënë Asllani.
Gjatë ditës së sotme është hedhur në Nyon të Zvicrës, shorti i eliminatoreve të kampionatit europian 2021 për futbollin e femrave. Dëshira e Asllanit e shpërndarë edhe në “Instagram”, ishte takimi me Kosovën në grup. Por një gjë e tillë nuk rezultoi, pasi Suedia dhe Kosova janë në grupe të ndryshme. Ndërsa Shqipëria do të ketë në të njëjtën grup Finlandën, Portugalinë, Skocinë dhe Qipron. /Shqiperia.ch/
Kalendari i plotë
2 Shtator 2019 Shqipëri-Finland
4 Tetor 2019 Shqipëri-Portugali
8 Tetor 2019 Finland-Shqipëri
8 Nëntor 2019 Shqipëri-Skoci
11 Mars 2020 Qipro-Shqipëri
5 Qershor 2020 Skoci-Shqipëri
18 Shtator 2020 Shqipëri-Qipro
22 Shtator 2020 Portugali-Shqipëri