
“Do të kërkojmë të fitojmë sa më shumë para me Muriqin”, ishte kjo deklarata e thënë hapur nga presidenti i Rizesporit, sa i përket transferimit të Vedat Muriqit. Klubi aktual po luante hapur me karrierën me sulmuesit shqiptar, vetëm për të përfituar sa më shumë në anën ekonomike.
Galatasarai trokiti shumë herë në derën e Rizesporit për Muriqin, por pas çdo oferte të bërë konkrete, çmimi rritej çuditërisht. Duke parë të gjithën këtë gjendje, vetë lojtari shqiptar ka marrë vendimin që ishte aspak i pritshëm.
“Sot në mëngjes kam folur me presidentin Hasan Kartal. Pas bisedës tonë, preferencave të ndryshme që kishim sa i përket transferimit tim, kam vendosur që të lë klubin në ditën kur do të më përfundoj kontrata”, ka thënë Muriqi. Kontrata e sulmuesit të Kosovës do të përfundoj në 30 qershor të vitit 2020. Pra, duke parë të gjithë këtë mënyrë sjellje të presidentit Kartal, lojtari shqiptar ka vendosur që të largohet me parametra 0 në fundin e sezonit të ardhshëm, për të përmbushur “hakmarrjen e ftohtë” në këtë mënyrë.
Reagimi ka ardhur në adresën zyrtare të Muriqit, por nuk përjashtohet që kjo të jetë edhe një kërcënim për presidentin e Rizesporit, për ta lëshuar sulmuesin për një vlerë më të vogël, nëse nuk kërkon që të mos marrë asnjë fitim prej tij. /Shqiperia.ch/