Gjetan Keta arriti të fitonte ndaj boksierit boshnjak, Sladan Janjanin, në ndeshjen e vlefshme për kategorinë e peshave të mesme në federatën WBU. Trajneri i Kombëtares shqiptare të Boksit, Zef Gjoni, ka hedhur akuza të forta ndaj Ketës, duke shprehur se e trukoi ndeshjen me një shfaqje të shëmtuar.
“Edhe një që ka parë boks vetëm njëherë e kupton se ajo ishte ndeshje e trukuar. Ajo është shfaqje, nuk është boks. Kur në një ndeshje të tillë afrojnë edhe këngëtarë e ku di unë, kuptohet qartë sepse nuk ka askund titull bote me këngëtarë.
E sfidoj të ndeshet me një boksier të Vllaznisë. Nëse fiton, unë e lë këtë sport. Boksieri boshnjak që gjoja ishte në finale me të, nuk ka as faqe zyrtare dhe nuk është në nivel. Ai ishte i 313-ti në listë dhe është e pafalshme të tallet me boksin shqiptar”, u shpreh për “Panorama Sport”, Zef Gjoni.