Armando Sadiku do të largohet nga ekipi i Levantes sipas të gjitha gjasave. Sulmuesi shqiptar, i penalizuar edhe nga dëmtimi, shkoi në një huazim te Lugano në gjysmën e sezonit të fundit. Vështirësi do të kishte edhe në këtë aventurë, duke mos përsëritur suksesin personal të dikurshëm kur luante me ekipin zviceran.
Vetëm një surprizë e bukur dhe e papritur mund ta mbajë Sadikun te Levante, ndërsa të reja të fundit nga Turqia. “Fotospor” raporton se Trabzonspori ka hyrë në garë për të marrë shërbimet e lojtarit të Shqipërisë. Skuadra e cila doli në vendin e katërt në elitën e kampionatit turk në sezonin që përfundoi, duke arritur në kualifikueset e “Europa League”. Tashmë mbetet të shihet sesi do të shkojnë negociatat, por një pistë reale e Sadikut është ajo e Trabzonsporit. /Shqiperia.ch/