
Aventura e Panuçit në kryesimin e stolit të Shqipërisë nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, me gjithë dëshirën e vetë teknikut për të ndryshuar diçka në stilin dhe filozofinë e lojës së kuqezinjve. Megjithatë, me ardhjen e tij mund të themi se Kombëtarja i ka fituar disa lojtarë të cilët mund të na shërbejnë për të ardhmen, mes të cilëve përmendim: “Uzunin, Binakun dhe Ismajlin”.
Pavarësisht diskutimeve të shumta që e dërgonin trajnerin e Shqipërisë edhe drejt një shkarkimi të mundshëm, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Do të ishte vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, që do e rikonfirmonte në stolin e Kombëtares. Pavarësisht kësaj, nga Italia vjen një lajm i bujshëm.
“Il Messaggero” shprehet e sigurt se Panuçi mund të marrë drejtimin e ekipit të njohur në Serinë A, Romës, pas largimit që do të bëj Di Françesko për shkak të rezultateve të dobëta. Këtu trajneri favorizohet edhe nga raportet e mira që ka me Francso Baldinin, një njeri i besuar i Pallottas. Panuçi është një prej legjendave të klubit të Romës, prandaj marrja parasysh e opsionit të tij nuk duket edhe aq surprizuese, ndërsa për momentin po shihet si një zgjedhje e dytë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/