
Pak nga pak po afron edhe periudha e Kombëtareve, teksa në muajin mars janë planifikuar sfidat e eleminatoreve të kampionatit europian. Trajnerët respektivë kanë filluar të udhëtojnë në vendet e ndryshme për të ndjekur lojtarë që mund të jenë afrimet e reja në përfaqësueset që ata drejtojnë.
Nga krahu tjetër, edhe Federatat respektive po punojnë në bashkpunim me trajnerët e tyre, për të organizuar sfidat miqësore që do t’i paraprijnë këtyre kualifikueseve. Më konkretisht, Federata e Futbollit të Kosovës, ka programuar një miqësore për përfaqësuesen e saj, e cila në datë 21 mars do të testohet me kombëtaren daneze në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për këtë përballje është prononcuar asistenti i Shaland, Muharrem Sahiti, teksa për median “Klan Kosova”, është shprehur se dardanasit kanë patur edhe oferta të tjera për të zhvilluar miqësore.
Ai theksoi se ishin kombëtaret e Gjermanisë dhe Uellsit, të cilat kishin shfaqur dëshirë për të luajtur me Kosovën. Sahiti tregoi edhe arsyen se përse nuk ishin konkretizuar këto mundësi, duke përmendur faktin se dardanasit nuk kanë dashur të luanin si miq përballë këtyre kombëtareve, por të luanin në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Kemi pasur oferta edhe nga kombëtarja e Gjermanisë dhe Uellsit, por që këto dy kombëtare kishin kërkuar që ne të jemi si miq’, u shpreh Sahiti mes të tjerash. /Shqiperia.ch/