
Klaus Gjasula e ka marrë ftesën nga trajneri Reja për dy ndeshjet e ardhshme të shtatorit që do të zhvillohen për kualifikueset e Europianit. “Shqiperia.ch” ka publikuar në ditën e djeshme një lajm mbi ndryshimet e reja te Kombëtarja, atje ku përfshihej edhe afrimi i mesfushorit të Paderbornit.
Tani është vetë futbollisti që e ka pranuar ftesën për “Sport Ekspres”, duke u shprehur se është kënaqësi e madhe që do t’i bashkohet Kombëtares.
Një ftesë mëse e merituar kjo, ndërsa Gjasula e ka nisur karrierën nga liga e katërt në Gjermani për të përfunduar në elitë. Pra një futbollist që ka shumë leksione për të dhënë te Kombëtarja, jo vetëm me aftësitë në fushën e lojës, por edhe me karrierën frymëzuese.
(Intervista e plotë e Klaus Gjasulës për Sport Ekspres)
Kur e mendon prej fillimit, a është më e bukur edhe se vetë një ëndërr kjo që po përjeton në Bundesligë?
Po është si një ëndërr e bërë realitet. Se në moshën 29-vjeç kam arritur në Bundesligë, nuk arrihet lehtësisht. Gëzohem akoma edhe më shumë që ia arrita ta realizoja.
Si ishte debutimi me Paderbornin nê elitën e futbollit gjerman? Na tregoni pak më shumë rreth emocioneve.
Ishte momenti më i bukur që kam pasur në gjithë karrierën time. Të gjithë futbollistët e ëndërrojnë që të luajnë në një kampionat dinjitoz dhe aq më tepër, në Bundesligë.
“Shqiperia.ch” ka zbuluar se një ftesë është dërguar për ty nga Kombëtarja. E vërtet, keni pasur kontakte?
Po, më ka ardhur ftesa. Është një kënaqësi e madhe që të kontriboj për vendin tim.
Do të ishte hera e parë që do shihnim një futbollist me helmet te Kombëtarja. Për arsye shëndëtsore, por të jep edhe pamje plotësuese për të marrë emërtimin “luftëtari”.
Rëndësi të madhe ka që të luaj për ekipin kombëtar. Helmetën e vendos vetëm për një arsye, që pas dëmtimit që kam pasur më jep më shumë siguri.
Karriera juaj jep një mesazh të qartë se asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh dhe se rruga më e mirë është ajo që arrihet shkallë-shkallë. Keni diçka për t’u thënë lojtarëve të rinjë shqiptarë, që shpeshherë kërkojnë t’i kapërcejnë në mënyrë të përshpejtuar shkallët e karrierës?
Ka shumë lojtarë të talentuar që digjen në futboll, sepse duan të kalojnë direkt në majat më të larta. Është një gabim i madh sipas meje. Me rëndësi të madhe është që të kesh besim te vetja, durim dhe të shfrytëzosh shansin kur të vjen. Duhet të punosh shumë për veten dhe jo të ndjekësh të tjerët. Fati do të trokas edhe për ty. /Shqiperia.ch/