
Një dështim ka rezultuar aventura e Eros Grezdës te Rangersi. Pikërisht atje ku duhej të vinte edhe shpërthimi i këtij sulmuesi, për të mbërritur edhe më larg në karrierën e tij. Por kryesisht sjellja e gabuar, ka bërë që kjo eksperiencë të mos mbahet mend gjatë.
Sipas mediave skoceze, Eros Grezda është larguar përfundimisht nga Rangersi. Gjithashtu është gjetur edhe klubi i tij i ri. Nëse mund ta quajmë në këtë mënyrë, pasi bëhet fjalë për Osijekun. Futbollisti i fundit shqiptar që shkoi te kjo skuadër ishte Kristal Abazaj, që u huazua nga Anderlehti. Por edhe Eros Grezda ka qenë më herët te Osijek, para se të transferohej te Rangersi. Pra këto mund të quhen dy hapa mbrapa në karrierën e Grezdës. Megjithëse nuk ka ende shumë detaje rreth transferimit, gjithçka është e mbyllur dhe flitet për një transferim përfundimtar dhe jo huazim.