
Shkëlzen Gashi duket se ka zgjedhur ta perëndojë karrierën e tij futbollistike shumë kohë përpara. Megjithëse vetëm në moshën 30-vjeçare, për këtë sulmues paratë nuk vendosen përpara pasionit. Të paktën këtë praktikë po ndjek në kohët e fundit.
Ndoshta e gjitha kjo histori nisi që me atë kalim te Kolorado Rapids për të fituar kontratën e milionave, ndërkohë që te Bazeli rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve duke qënë makineri golash. Në orët e fundit është “Nau.ch” që raporton se Gashi ka arritur marrëveshjen me Aarau, për të shkuar me zviceranët që luajnë në kategorinë e dytë.
Por shihni se ku është më e rëndësishmja! Në këtë media shkruhet se transferimi do të kryhet në muajin janar dhe jo në merkaton e verës. Pra Gashi kërkon të marrë gjithë paratë nga Kolorado Rapids deri në fundin e këtij viti, për të vazhduar më pas sërish që të luajë në fushën e blertë. Në këtë mënyrë mbyllet edhe një histori me Kombëtaren, për ndokënd që mund të kishte dyshime për një tjetër ribashkim me fanellën e kuqezinjve. /Shqiperia.ch/