
Edon Zhegrova mund të jetë përforcimi më i ri i Milanit. Ka qenë vetë Leonardo, drejtori sportiv i kuqezinjëve, i cili ka nisur interesimet për sulmuesin e Kosovës. Nga opinioni i marrë nga skautët, Zhegrova ka lënë përshtypjet më të mira duke ritheksuar edhe njëherë epitetin e tij si “Messi i Kosovës”.
Për 19-vjeçarin do të ketë tratativa për bisedime teksa nga ana belge, skuadra e Genk mund të shqyrtojë çdo ofertë. Milan prej kohës vuan nga krahët e sulmit dhe një afrim i ri do t’i nevojitej. Megjithëse në pozicionin e Zhegrovës mban vendin e titullarit spanjolli Suso, sfida të reja mund të sjellin duele interesante brenda grupit.
Lajmin e ka bërë të ditur media italiane, “Sportmediaset”, e cila shpreh se tashmë sytë e Milanit janë drejtuar nga Edon Zhegrova. Në sezonin e kaluar sulmuesi i talentuar luajti 13 ndeshje duke shënuar vetëm një gol. Sa i përket këtij gjysmë sezoni, Zhegrova ka luajtur 7 ndeshje me po vetëm një rrjetë të realizuar. Sesa të interesuara do të jenë palët për këtë transferim, me padurim priten zhvillimet më të fundit të mërkatos së janarit./Shqiperia.ch/