
Shqipëria ka arritur të fitojë me rezultatin 3-0 ndaj Andorrës, në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Europianit. Menjëherë pas ndeshjes, në një intervistë për “Supersport”, ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në fjalët e tij është vendosur theksi se trajneri i ardhshëm i Kombëtares mund të jetë edhe shqiptar. Ndërsa kur flitet për shanset e kualifikimit, Duka ka thënë se lojtarët shqiptarë nuk duhet të qajnë humbjen me Turqinë, pasi ky kundërshtar mund të lërë pikë në Andorrë.
“Jam i kënaqur me rezultatin dhe nuk e mendoja të lehtë Andorrën. I kënaqur do të isha edhe me rezultat minimal, por 0-3 akoma më mirë. Kualifikueset e Europianit tani kanë filluar. E kemi nisur keq me Turqinë dhe mund të kishim më shumë se 3 pikë. Unë nuk kam menduar asgjë sa i përket trajnerit të ri. Ishim në situatë emergjente për të zgjedhur Andorrën.
Grupi është i vështirë dhe nuk duhet të qajmë Turqinë. Besoj se një prej kundërshtarëve do të ngec në këtë fushë të Androrës. Me trajnerin Reja kam folur, por jo konkrete. Biseduam rreth Shqipërisë dhe më tha se nisur nga paraqitja e lojtarëve ndaj Turqisë do të ishte e vështirë të na merrte në drejtim. Gjithsesi, nuk kishte një propozim në tavolinë.
Kisha besim te Panuçi në këto kualifikuese. Trajner shqiptar për Kombëtaren? Përse jo! Për mua çdo Kombëtare do të ishte e mirë të drejtohet nga vendasit”, ka thënë Duka. /Shqiperia.ch/