
Atalanta dhe Lacio do të përmbyllin javën e Serisë A, në një takim që ditën e sotme pritet me një interes të lartë. Shumë spektakël pritet të dhurohet nga kjo sfidë e nga dy ekipe që luajnë hapur në fushë.
Por ky takim është shumë simbolik edhe për tifozët e Kombëtares. Arsyeja? Të dy portierët që do të luajnë në këtë të, do të jenë të Shqipërisë. Etrit Berisha nga njëra anë, e Thomas Strakosha nga tjera. Historia e Etrit është e ditur tashmë, De Biazi do e gjente në një vend të Suedisë, Kalmari, që më shumë sesa për futboll, shquhej për peshkim.
Vetë ish-trajneri i Kombëtares, do të shprehej se kur shkoi për të bindur Berishën që të zgjidhte Shqipërinë, ky i fundit ishte duke peshkuar. Një dorë e madhe i erdhi nga Tare, që e mori te Lacio dhe sot ndodhet te Atalanta.
Nga ana tjetër, kemi “duart e Zotit” që më shumë se kurrë sot duhet të jenë të pranishme. Shumë kritika morri Strakosha për takimin e fundit ndaj Sampdorias, për shkak të atij gabimi në minutat e fundit që i hoqi dy pikë Lacios. Megjithatë, gardiani shqiptar i ka treguar më së miri reflekset e tij, duke shpikur edhe disa pritje që rrallëherë i shohim në futboll. “Duart e peshkatarit me ato të Zotit”, e gjitha do të zgjidhet në mbremjen e sotme. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/