
Berat Gjimshiti është kthyer në një siguri për Gasperinin. Mbrojtësi shtatlartë ndaj Romës tregoi se veç detyrave të tij, mbuloi edhe mbrojtjen në rastet e shpërqëndrimit. Atalanta pësoi tre gola në pjesë të parë dhe gjithçka dukej e mbyllur. Megjithatë Gasperini nuk ndryshoi gjë e aq më tepër mbrojtjen me Gjimshitin dhe Mancinin përpara. Në barazimin 3-3, media sportive italiane, “Ecodibergamo”, pranë klubit të Atalantës raporton se tifozët zikaltër kanë kërkuar që titullar me Mancinin të ishte argjentinasi Palomino. Si duket eksperienca e 29 vjeçarit i bëntë tifozët të ndiheshin më të qetë në një sfidë të vështirë si ajo përballë Romës.
Por Gasperini nuk ishte i të njejtit mendim. Nga po e njejta media raportohet se tashmë mbrojtësi shqiptar ka fituar besimin e teknikut italian, madje ky i fundit ishte shprehur se në ndeshjen ndaj Romës Berat Gjimshiti arriti të mbuloj edhe Mancinin i cili nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Nga minuta e 53′ e takimit Palomino, i shumëkërkuar do të zbriste në fushë, por jo në vend të Gjimshitit por të Mancinit. Mbrojtësi i kombëtares po përshtatet mjaft mirë me kërkesat e Gasperinit dhe ky është një avantazh mjaft i madh në luftën për titullar. Atalanta ndodhet në vendin e shtatë me 32 pikë, një pikë larg vendit që i çon në “play off” e Europa League./Shqiperia.ch/