
Graham Potter quhet dhe është një nga trajnerët që ka fituar gjithë simpatinë e tifozëve europian të futbollit. Për të gjithë ju që ndoshta emri i këtij tekniku nuk iu thotë ende asgjë, ajo mrekulli e Ostersund në sezonin e shkuar sigurisht që iu kujton diçka.
Klubi i vogël suedez arriti të tejkalonte të gjitha pritshmëritë dhe limitet e lejuara, duke shkuar deri në “Europa League”. Kjo erdhi vetëm falë këtij tekniku të ri, që shkroi me gërma të arta suksesin, pavarësisht se drejtonte disa futbollistë të një skuadre modeste.
E dini se cili ishte celësi i suksesit të Ostersundit? Lojtarët si “balerina”. Sa herë që në qytet do të kishte festë dhe festivale, futbollistët e këtij klubi suedez do të dilnin për të performuar dhe për të kërcyer si “balerinat” që shohim shpesherë në një farë mënyrë. Arsyeja? Kështu ata do të hiqnin emocionet. Imagjinoni, mijëra vështrime që ty të hidhen në një situatë të tillë të sikletshme dhe ti e kapërdin, e si mund të dridhen këmbët nga emocionet, kur përballë teje ke emra të mëdhenj të futbollit europian? Thjeshtë e pamundur!
Kështu ndodhi, Graham Poteri i kishte paraprirë suksesit prej kohësh. Në këtë sezon të ri, tekniku i Ostersundit ndërrmori një vendim dhe aventurë të re, duke zgjedhur ekipin e Swanseat për të drejtuar, atje ku luan edhe Bersant Celina.
Efektet e para kanë nisur të jepen në mënyrë të menjëhershme, skuadra në “Championship” ka marrë 13 pikë nga 15 të mundshmet. Mediat angleze kanë nisur ta pagëzojnë ekipin e Celinës si “Swanselona”. Kjo sepse skuadra e Swansea mban vendin e parë sa i përket pasimeve të dhëna në këtë kampionat, me 5.863 pasime të dhëna, duke kryesuar mbi të gjithë. Në “Premier League” duhet të bëhen gati që tani, një Swansea e frikshme do të hyjë në sezonin e ardhshëm për t’i prishur jo pak punë të mëdhajave. /Shqiperia.ch/