
Një humbje dhe dorëzim pa kushte ishte kjo e Milanit në ditën e sotme, pasi u mund me rezultatin 0-1 ndaj Fiorentinës. Sigurisht, për mënyrën sesi rrodhi ndeshja kjo ishte një humbje e pamerituar për kuqezinjtë, të cilët e dominuan takimin në çdo minutë.
Por në fund është rezultati ai që mbahet mend, e ky i fundit flet në favor të Fiorentinës. Përtej dështimit të një ndeshje, në Itali ka vite që flitet për shkatërrimin e një legjende të futbollit europian. Tashmë kjo fanellë nuk peshon më njësoj e për këtë, mjafton të shohim mesfushën e kuqezinjve në ditën e sotme.
Mesfushorit turk Calhanoglu, i është bashkuar Kalabria dhe Jose Mauri. Ky i fundit, gjatë kohës që luante te Parma, nuk arrinte të merrte një vend në formacion gjatë kohës që edhe futbollisti i Kombëtares, Andi Lila aktivizohej në atë skuadër.
Gjatë asaj periudhe Lila do të arrinte edhe kulmin e karrierës së tij, pasi do t’i realizonte edhe ekipit të Interit. Mauri do të ngrohte stolin nga konkurrenca me shqiptarin, ndërsa në ditën e sotme fiton një fanellë titullari me skuadrën e Milanit. Kontrasti është i madh, me mediat italiane që për të komentuar gjithçka po ndodh me kuqezinjtë këto kohë, ndalen vetëm te mesfusha. /Shqiperia.ch/