
Skënder Gega është një emër i njohur për tifozët shqiptarë dhe kjo nuk lidhet aspak me klubin e Partizanit. Këta të fundit e kanë zyrtarizuar vetëm në këtë sezon Gegën si trajnerin e tyre, ndërsa karriera e tij është e hershme.
E si mund ta harrojmë, që trajneri aktual i kryeqytetasve, ka pasur më parë edhe Shpresat e Shqipërisë. Asokohe rezultatet nuk ishin ato të priturat dhe nuk flasin shumë në favor të këtij trajneri, por krahasimet duhet t’i bëjmë duke kuptuar kohën në të cilën flasim.
Zhvillimi në futbollin shqiptar gjatë atyre viteve ishte ende në progres e sipër, prandaj deri diku Skënder Gega mund të quhet i justifikuar. Tashmë me klubin e Partizanit po e tregon më së miri se për çfarë trajneri bëhet fjalë.
Të kuqtë janë duke kryesuar Superioren, me një nisje sezoni që u kishte munguar prej kohësh. Entuziazmi është rikthyer dukshëm tek tifozët, ndërsa për t’u theksuar është edhe shembulli që jep trajneri i tyre.
Mjaftojmë të shohim sulmin e tyre në ndeshjen ndaj Teutës, ku do të dallojmë lojtarë si Mala në moshën 20-vjeçare, Bardhi e Hebaj po ashtu, ndërsa Asani që është 23-vjeç.
Një vlerësim i dyfishtë për këtë trajner, që u beson të rinjëve në lojën e tij, ndërsa këta të fundit ia kanë shpërblyer besimin në mënyrën më të mirë. Mesa shohim, Partizani është vazhdimi i historisë së Panathinaikosit në Greqi gjatë këtij sezoni, ku trajneri Donis, ka vendosur në të njëjtën mënyrë që të hedhi në fushën e lojës, një ekip me moshën mesatare 23-24 vjeç, e duke korrur sukses të madh. Gega e ka nisur me sulmin, shembulli duhet të pasohet nga të tjerët. /K.N- Shqipëria.ch/