Ndryshe nga sa ishte planifikuar, miqësorja e fundmuajit maj mes Shqipërisë e Kosovës nuk do të luhet. Zvicra ka bërë bllokadë për këtë miqësore, duke mos e parë me sy të mirë praninë e një numri shumë të madh tifozësh shqiptarë në Vintertur, ndaj ka vendosur të refuzojë organizimin e ndeshjes për arsye sigurie.
FSHF dhe FFK menduan spostimin në Lihtenshtejn, por edhe aty e njëjta gjë, Lihtenshtejni nxorri të njëjtin justifikim si Zvicra.
Ideja e të luajturit në Shqipëri apo Kosovë është diskutuar, por është refuzuar nga trajneri i Shqipërisë Kristian Panuçi, i cili ka kërkuar në formë të prerë që ose të luhen dy miqësore pa pasur lëvizje nga një shtet në tjetrin në pak ditë, ose të luhet vetëm miqësorja me Ukrainën, që gjithsesi nuk është me ndonjë vlerë të jashtëzakonshme në fund të një sezoni të lodhshëm për lojtarët.
Edhe Kosova po has probleme me Zvicrën, sepse me shumë gjasa nuk do të luhet fare miqësorja kundër Bregut të Fildishtë.
/Sportekspres