Mesa duket ditën e sotme nuk kanë fund deklaratat përsa i përket lojtarit 18-vjeçar Arton Zeka, që është kthyer në një telenovelë nga mediat në Serbi. Gjithçka nisi paraditen e sotme teksa e përditshmja serbe “Kurir”, publikoi një artikull ku thuhej se Zeka ka ushtruar “presion” tek kombëtarja serbe, ndërsa nëse nuk grumbullohej me këtë ekip, atëherë ai do të zgjidhte të ishte pjesë e përfaqësueses së Kosovës.
Sipas medias shqiptare “GazetaOlle”, mesfushori ka mohuar këtë deklaratë dhe sipas tij fjalët që i ka thënë gazetarit të “Kurir” janë keqkuptuar. Artoni është shprehur se ende nuk e ka vendosur se për kë do të përfaqësuese do të luaj. Gjithashtu ai ka pohuar se ka marrë edhe një telefonatë nga Federata e Futbollit Kosovar, për të qënë pjesë e skuadrës së dardanasve.
Një gjë e tillë mendohej edhe më parë, për një sajim të fjalëve nga ana e mediave serbe, ashtu siç e kanë për zakon, por ajo që nuk falet në këtë rast është që Zeka i lë sërish derën hapur Serbisë.
“Unë jam lindur në Suboticë dhe jam rritur në atë qytet. Sa i përket deklaratave të dhëna për gazetarët e Kurir, unë u thashë se nuk kam vendosur se për kë do të luajë. Unë jam për momentin i fokusuar për klubin tim, i cili po më ofron gjithçka për t’u zhvilluar.
Mua nuk më intereson shumë. Të gjithë kanë të drejtë të mendojnë ndryshe. Është e vërtet se kam marrë telefonatë nga skuadra kombëtare e Kosovës. Unë nuk dua të shantazhojë askënd, unë të punojë dhe dëgjojë, të tjerat do të vijnë”, u shpreh Arton Zeka. /Shqiperia.ch/