
Derbi është më shumë sesa një lojë, një ndeshje e zakonshme apo 90 minuta të cilat duhen luajtur vetëm sepse ashtu është planifikuar në axhendë. Derbi është një takim që duhet zhvilluar për hir të tifozëve, të bukurisë së futbollit, të zhurmës së qytetit dhe është gjithmonë i dënuar për t’u fituar, në të nuk ka kurrë rëndësi pjesëmarrja.
Këtë e dinë më së miri lojtarët e Partizanit dhe Tiranës, që do të përplasen në ditën e sotme, për të matur forcat në një takim që i mungonte aq shumë futbollit shqiptar. Sipas asaj që raporton “Supersport”, futbollistët nga të dyja kampet kanë përfunduar në xhami përpara një ndeshje kaq të rëndësishme.
Në ditën e sotme është edhe dita e Xhumasë, e shënuar kjo për javën e besimtarëve myslymanë dhe futbollistët e të dyja kampeve respektive kanë bërë faljen e tyre të zakonshme, përpara se të nisin 90 minutat e zjarrta. Ishte koha për pak qetësi shpirtërore, përpara se kaosi dhe zhurma e madhe të përfshijë në një derbi të këtij niveli. /Shqipëria.ch/