
Zakonisht jemi mësuar që te Shqipëria, jo vetëm në Kombëtaren A por edhe në grupmoshat e saj, të vijnë talente nga Italia, Kroacia, Greqia, Zvicra dhe vënde të tjera europiane. Por në pak raste ishte parë që lojtarë nga kampionati anglez, t’i bashkoheshin kuqezinjve.
Dy të tillë rezultuan gjetje për grupmoshat. Për ta nisur nga sulmuesi i Chelseat, Armando Broja, që luajti me Shqipërinë U-19. Këta të fundit morën një barazim 1-1 në Korçë dhe u mundën me rezultatin 2-1 në Ohër, ndaj të njëjtit kundërshtar, Maqedonia e Veriut.
Dy gola dhe të dyja erdhën nga Broja. Futbollisti i Chelseat bënte diferencën në majën e sulmit, ndërsa me fizikun e tij e vinte gjithmonë në presion kundërshtarin, duke e tërhequr skuadrën përpara. E bëri në të dyja ndeshjet, madje duke e përshendetur edhe dy herë rrjetën.
Nga ana tjetër edhe Geraldo Bajrami i U-21 është i një niveli të lartë. Jo më kot ky futbollist mban shiritin e kapitenit te Birminghami. Flitet për moshën U-23 të anglezëve, ndërsa për çështje kohe i bashkohet edhe ekipit të parë. Në takimin ndaj Turqisë, Bajrami meritonte notën “10”. Flitej për debutimin e tij dhe ndryshoi tërësisht filozofinë e lojës. Në mbrojtje ishte i pakalueshëm, por më kryesorja mbetet paniku që i shkaktonte kundërshtarit në krosimet që futeshin brenda zonës, me mbrojtësin që ishte fitimtar në pjesën më të madhe të rasteve.
Për të kaluar më pas te ai barazim me rezultatin 2-2 të Shqipërisë U-21 ndaj Andorrës, atje ku mund të bëhej edhe më mirë. Gjithsesi, cilësitë e Bajramit janë të jashtëzakonshme dhe përtej rezultateve të rinjëve tanë, me rëndësi mbetet furnizimi i Kombëtares A. Në kushte të tilla, shumë shpejt do të shohim Bajramin dhe Brojën në Kombëtaren A, nëse mbajnë të njëjtin ritëm me ekipet angleze ku ata luajnë. /Shqiperia.ch/